Moscovici, lavde Greqisë: “Kam besim se do rikthehet, por duhet të ruajë ritmin”

Komisioneri evropian për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici, deklaroi se ka besim se, Greqia do të kthejë shumë shpejt faqen nga kriza ekonomike, duke përmbyllur me sukses programin e tretë të shpëtimit, që skadon në Gusht të vitit të ardhshëm.
Moscovici i cili gjendet në Athinë për një vizitë zyrtare deklaroi ndër të tjera se, vendi i prekur rëndë nga kriza e borxhit, është në një situatë delikate, dhe se duhet medoemos të vazhdojë reformat ekonomike.
“Rikthimi në tregje është një hap i parë i rëndësishëm” -shtoi ai, duke komentuar kështu rikthimin e Greqisë në tregjet e borxhit pas tre vitesh mungesë.
“Ky është gjithashtu një sinjal për tregjet se, Greqia po jep rezultate e se po kthehet në rrugën e duhur, drejt qëndrueshmërisë. “Besimi është i lartë te Greqia, por ne duhet të vazhdojmë të mbajmë punën e mirë. Është si të jemi në një biçikletë, duhet të vazhdojmë të pedalojmë”-nënvizoi komisioneri europian.
“Ky është rasti i Evropës, në tërësi. Në rast se nuk pedalon, biçikleta bie”, nënvizoi Moscovici. Ndër të tjera, ai deklaroi se, kreditorët europainë duhet të mbajnë premtimet për lehtësimin e borxhit të vendit. “Këto masa duhen implementuar në fund të programit të shpëtimit, por vendimi mund të merret më parë”-deklaroi ai.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.