Mosmarrëveshja e OPEC+ / Tregu i naftës mund të shkojë në kolaps, do të dëmtohen të gjithë prodhuesit

Mbledhja e ministrave të naftës të premten në Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të tyre ndërkombëtarë (OPEC+) dështoi. Prishja e bisedimeve zbulon ndasi të thella që shtetet kanë mes tyre mbi mënyrën se si do ta trajtojnë rënien e kërkesës për naftë të shkaktuar nga përhapja e Covid-19.
Arabia Saudite kërkoi që Rusia të ndajë me të një ulje të prodhimit me 1.5 milion fuçi në ditë. Por Rusia nuk pranoi. Ndoshta kjo, sepse Putin nuk pranon të marrë as këshilla e as urdhra nga princi i Arabisë Saudite, një 34 vjeçar që sapo e ka marrë drejtimin e vendit.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që OPEC përçahet dhe krijon marrëdhënie të vështira brenda vetes, por mund të jetë rasti që do t’i sjellë më shumë dëm organizatës vet dhe tregut të naftës.
Marrëveshja që dështoi kishte për qëllim të rishikonte marrëveshjen që OPEC bëri për të mbajtur një ritëm të njëtrajtshëm të prodhimit të naftës, marrëveshje që skadon më 1 prill. Që nga kjo datë, çdo shtet do të mundet të prodhojë sa fuçi nafte të dojë, pa ndonjë pasojë. Gjithsesi, duhet thënë që ky nuk është lajm dhe ai i keq, pasi duhet kuptuar se të vetmet shtete që kanë mundësi të rrisin prodhimin e tyre shpejtë, janë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.
Rusia nuk i refuzoi shkurtimet e mëtejshme thjeshtë sepse kompanitë e saj të naftës nuk kanë dëshirë të pompojnë më pak naftë nga toka. Arsye pse Rusia nuk e ka pranuar atë marrëveshje është sepse ajo po përpiqet të përfitojë nga një rënie afatshkurtër që shkakton koronavirusi tek çmimi i tregtimit të naftës. Duke lejuar që çmimet e naftës të bien, Rusët shpresojnë të nxisin kërkesën. Ama është e vështirë të shihet se kërkesa do rritet, kur fabrikat janë të mbyllura, linjat ajrore po ulin fluturimet dhe rrugët po zbrazen. Nafta e lirë nuk do të lehtësojë frikën nga virusi Covid-19. Kështu, edhe Rusia vet, me synimin që të përfitonte nga kjo skemë e radhës, mund të dalë po aq e humbur sa vendet e tjera.
Por ekziston gjithashtu një dimension më i madh gjeopolitik për tërheqjen e Rusisë nga pakti, çka mund të jetë dhe arsyeja kryesore. Pjesëmarrja në OPEC shërbeu për ambiciet e Presidentit Putin për të rindërtuar ndikimin e Rusisë në Lindjen e Mesme. Tërheqja ka për qëllim ndëshkimin e SH.B.A.-së për sulmet e përsëritura ndaj interesave energjetike të Rusisë përmes sanksioneve, të cilat kanë ulur eksportet e Rusisë në detin e Arktikut, ndaluan përfundimin e një tubacioni gazi në Evropë nën Detin Baltik, dhe shënjestrën e biznesit venezuelas të shtetit të Rusisë, prodhuesi i naftës Rosneft.
Gjithsesi, edhe nëse Rusia dështon përsëri, ajo do që të sigurohet se kompanitë e naftës amerikane do të ndajnë dhimbjen e rënies së kërkesës për naftë. Arabia Saudite duket se dëshiron ta ndihmojë. Muajt e ardhshëm do të jenë të shëmtuar.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Bloomberg
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.