Moti i ftohtë dhe gripi, Rama: Situata është nën kontroll
Kryeministri Rama ka mbledhur Zyrën Operacionale për shkak të situatës me motin e ftohtë dhe gripin.
Kreu i kabinetit qeveritar ka falënderuar drejtuesit e institucioneve dhe personat që u angazhuan gjatë kësaj periudhe për situatën nga moti i ftohtë.
Rama pohoi gjatë kësaj mbledhje se situata nga moti i ftohtë është nën kontroll, ndërkohë që situata me gripin është drejt përmirësimit. “Numri i personave që i drejtohen spitaleve dhe poliklinikave është ulur”, tha kryeministri.
Sa i takon mungesës së energjisë, Rama pohoi se janë 268 abonentë pa energji elektrike.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi në këtë mbledhje u shpreh se temperaturat minimale gjatë këtyre ditëve kanë qenë – 29 dhe -27 gradë celsius.
“Do kemi rritje të temperaturave me 2 gradë, por sërish ato do të jenë në zero. Ka pasur reshje bore edhe gjatë ditë sotme në Sarandë dhe në Pukë”,pohoi kreu i Emergjencave Civile. Prençi më tej shtoi se temperaturat e ulëta do të jenë gjatë gjithë Janarit dhe ato do të zbresin deri në -18 gradë celcius.
Sa i takon defekteve për energjinë elektrike, Ministri Gjiknuri pohoi se ato janë riparuar në kohë dhe se rreth 1800 punonjës kanë vepruar për riparimin e tyre. “Situata është duke u përmirësuar sa i takon energjisë. Linjat e tensionit të lartë janë funksionale. Kudo ku ka reshje dëbore ka ndërprerje të energjisë elektrike” u shpreh ministri Gjiknuri.
(os.de)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.