MSNBC nxjerr taksat e Trump, Shtëpia e Bardhë konfirmon një normë efektive prej 25%

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka paguar 38 milionë dollarë taksa për 150 milionë dollarë të ardhura në vitin 2005, deklaron Shtëpia e Bardhë duke konfirmuar një raport të MSNBC.
Formularët tatimorë, që rrjeti mediatik postoi në faqen e webit, tregonin se Trump ka paguar një normë efektive tatimore prej 25% në 2005-ën, pas regjistrimit të një humbjeje prej 100 milionë dollarë. Presidenti ka refuzuar të publikojë formularët e tij tatimorë, gjë që solli kritika gjatë fushatës së tij dhe spekulime nga rivalët se po fshihte diçka.
Një raport i New York Times në muajin Tetor 2016, tregoi se Trump kishte deklaruar 916 milionë dollarë humbje në formularin e vitit 1995. Gazeta raportoi atëherë se kjo zbritje e madhe ka bërë të mundur shmangien e taksave federale mbi të ardhurat për më shumë se 18 vite.
Megjithatë, formularët e postuar nga MSNBC treguan se ai ka paguar taksa në vitin 2005. Shtëpia e Bardhë deklaroi se Trump, si kryetar i Organizatës me të njëjtin emër, nuk ka pasur përgjegjësi që të paguajë më shumë taksa se ç’kërkohej ligjërisht. Ndryshe nga Presidentët e tjerë, Trump ka thënë se nuk i ka publikuar formularët e tij për shkak se janë nën kontroll nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave (IRS).
Për krahasim, ish kandidati republikan Mitt Romney, shpalosi një normë efektive tatimore prej 13.9% në formularin e 2010-ës. Warren Buffet deklaroi se ka paguar një normë efektive tatimore prej 16% në vitin 2014.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.