“Mund të humbisni të gjithë paratë”. FCA në Londër paralajmëron konsumatorët e kriptovalutave
Mbikqyrësi financiar i Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë një paralajmërim të ashpër ndaj konsumatorëve që synojn të përfitojnë nga rritja e madhe e kriptovalutave së fundmi, duke i thënë që të jenë gati të humbasin gjithçka.
“Investimi në kriptoaktive, apo investime dhe huadhënie të lidhura me to, përfshijnë zakonisht pranimin e një rreziku tejet të lartë me paranë e investitorëve. Nëse konsumatorët investojnë tek këto produkte, ata duhet të përgatiten që të humbasin të gjithë paratë”- deklaroi Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare në Londër. Tek shqetësimet e organit rregullator përfshihen; luhatja e çmimeve, kompleksiteti i produkteve të ofruara dhe mungesa e një mbrojtje ndaj konsumatorëve për këto produkte.
Çmimi i Bitcoin, kriptovalutës më të madhe, është katërfishuar në vitin e kaluar, duke risjellë kujtime të vitit 2017, ku kolapsoi menjëherë pasi preku 20,000 dollarë. Ditën e Diel, kriptovaluta ra me 21% dhe të Hënën, vazhdoi rënien poshtë 32,400 dollarë. Kjo është rënia më e madhe 2-ditore që prej nisjes së pandemisë vitin e kaluar dhe vjen pas një rritjeje rekord në 42,000 dollarë më datë 8 Janar.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.