A mund të jetë 2018 viti i rimëkëmbjes së hekurudhave? Të dhënat dhe projektet që çojnë në këtë drejtim

Deri disa muaj më parë, duke se transporti me hekurudhë në Shqipëri ishte i destinuar të shkonte drejt braktisjes totale. Por gjatë vitit që lamë pas arriti të konfirmohej një trend shumë i rëndësishëm, ai i transportimit të mallrave me tren.
Do të ishin pikërisht importet, kryesisht të produkteve ushqimore nga vendet e rajonit, që do të kishin impaktin më të madh në ringjalljen e hekurudhës. Në fund të Nëntorit 2017, llogariten rreth 141 mijë ton mallra të transportuara për periudhën 11-mujore mbi shina. Kjo shënon një rritje prej 111,1% krahasuar nga viti në vit.
Gjasat janë që edhe këtë vit të vazhdojë i njëjti trend, duke arritur të shtohet volumi edhe falë investimeve në këtë drejtim.
Në fund të vitit 2017 gjithashtu u shënua një ngadalësim i braktisjes së trenave nga pasagjerët. Nëse në mes të vitit transporti hekurudhor i pasagjerëve shënonte një rënie me 55%, të dhënat e fundit sot tregojnë për një rënie prej vetëm 27,9%.
Por me përfundimin e projektit me vlerë 90 milionë euro për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas, numri i pasagjerëve është i sigurt që do të rritet. Qoftë përmes udhëtarëve që vijnë apo ikin në drejtim të aeroportit, apo edhe përmes atyre që lëvizin mes dy qyteteve më të mëdha të vendit.
Kthimi në brendësi të Tiranës i trenit, padyshim që do të shtojë interesin e qytetarëve, të cilët mund ta zgjedhin si një alternativë me ekonomike udhëtimi. Ende është në diskutim fakti nëse në qendër të qytetit do të vijë një tren i rëndë apo i lehtë, siç njoftonte Ministri Ahmetaj gjatë një takimi në Durrës, por qarësisht ai do t’i vijë në ndihmë nevojave për transport publik.
“Zgjimi” i hekurudhave mund të ndikohet edhe nga nisma të tjera si ajo e zhvilluar në ditën ndërkombëtare të Jazz-it, ku me dhjetëra të rinj janë kthyer në kohë në vitet ’40-’50 duke ndërmarrë një udhëtim me tren nga Tirana në Shkodër.
Transporti hekurudhor konsiderohet gjithashtu edhe një nga prioritetet e infrastrukturës nga Bashkimi Europian, kyç për ndërlidhjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor me pjesën tjetër të Europës. Një shtim i investimeve përmes projekteve të përbashkëta rajonal, padyshim që do të rriste përdorimin e trenave, duke sjellë me vete edhe një valë të re turistësh që shkojnë atje ku i shpien binarët.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.