Mungesa e gjyqtarëve bllokon Agjencinë e Pronave – ATP: Shkarkimet prej reformës në drejtësi, nuk bëjmë dot ankimimet në Gjykata

Mungesa e gjyqtarëve për shkak të shkarkimeve nga Vetting-u pos jell anomali në proceset gjyqësore të Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ndërsa është përballur gjatë vitit të shkuar me një bum padish nga ana e pronarëve, Agjencia raporton se nuk ka arritur të ankimojë të gjitha çështjet e ngritura kundër saj për shkak të mungesës së gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Scan Televizion ka zbardhur raportin zyrtar të agjencisë për vitin 2021, ku bëhet me dije se sektori I përfaqësimit ligjor ka ankimuar mbi 800 vendime, ndërkohë që planifikonte të mbyllte 1 mijë.
“Në periudhën Janar – Dhjetor 2021, Sektori i përfaqësimit ligjor ka mbyllur 844 “Vendime të Ankimuara”në të gjitha gjykatat e vendit,po në këtë periudhë janë depozituar 732 padi në të gjitha gjykatat e vendit, në gjykatat e rretheve, në gjykatat e apelit, në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe në apelin administrative” thuhet në Raport.
“Arsyeja që nuk mundëm të realizojmë planin 1000 “Vendime te Ankimuara në gjykatë të mbyllura”, si pasoj e Reformës në Drejtësi, daljen nga sistemi të disa gjyqtarëve, ka nxjerr vonesa në Gjykimin e çështjeve”, thekson Agjencia.
Ndërkohë që është vetë Agjencia ajo që parashikon që fluksi I padive të vijojë në rritje, duke bërë me dije se 6,950 pronarë mund t’i drejtohen gjykatave në vijim pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit. Nga ana tjetër edhe vetë rrëzimi I dy neneve të ligjit të pronave nga Kushtetuesja pritet të shtojë numrin e padive ndaj Agjencisë, duke qenë se mund të sjellë ndryshim të formulës së përllogaritjes së vlerës së kompensimeve.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.