Mungesa e kartës së shëndetit – Fondi shpenzon mbi 21.5 mln lekë për 1.1 mln karta

Mungesa e kartave të shëndetit në Qendrat Shëndetësore ka bërë që Fondi të shpallë një tender për sigurimin e tyre në vlerën e 21.5 milionë lekë pa TVSH. Sipas specifikimeve të kontratës subjekti fitues ka si detyrim që të prodhojë formularë dhe karta të shëndetit në sasinë e mbi 1.1 milionë copë.
Kartat e shëndetit duhet të jenë në përputhe me kategoritë të cilat do t’ju lëshohen. Operatori ekonomik duhet të paraqesë 20 copë modele të ngjashme, por me karakteristika teknike identike, të cilat do t’i nënshtrohet testimit nëse respektojnë kushtet teknike dhe janë të personalizueshëm nga printerat e institucionit. Pas konfirmimit nga komisioni i ngritur për këtë qëllim nga Fondi, do të prodhohet e gjithë sasia e kërkuara.
Operatori duhet të bëjë lëvrimin e sasisë së kontraktuar të formularit dhe kartës së shëndetit brenda një afati 20 ditorë nga lidhja e kontratës. Formularët do të lëvrohen të paketuar në sasi 1000-2000 fletë për kuti. Kategoritë e siguruara që marrin një kartë shëndeti me afte të ndryshme janë rreth 29 të tilla. Një tjetër mundësi për t’u pajisur me kartën e shëndetit është edhe printimi i saj on-line nga vet individi ose nga punonjësit e sportelit në pikat ku bëhet shpërndarja e kartave të shëndetit.
Duke qenë se dhe një letër formati e printuar me kodin përkatës të qytetarit luan të njëjtin funksion si karta e shëndetit lind pyetja, a është e nevojshme që të shpenzohen gjithë këto para me tendera për kartën e shëndetit?!
Entela Barjamaj/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.