Mungesa e mjekëve specialistë, Manastirliu: Këtë vit do të zgjidhet. Diplomohen 300 mjekë të rinj

Mungesa e mjekëve specialist në spitale të ndryshme të vendit, ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i cili sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu, pritet të zgjidhet këtë vit me diplomimin e 300 mjekëve të parë specialist.
Këtë deklaratë ministrja e bëri gjatë inaugurimit të urgjencës së re pranë shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza
“Mungesa për katër vite e specializimeve patjetër që ka sjellë probleme sa i takon mjekëve të specializuar, por pas më pak se 1 muaji, diplomohen 300 mjekët e parë specialistë, ku mes tyre ka edhe infeksionistë që kanë kontratë me Ministrinë dhe do të shërbejnë në disa spitale rajonale, si dhe janë 4 mjekë që mund të rekrutohen, sipas procedurave, menjëherë nga drejtoria e QSUT-së. Sa i takon personelit infermieror, fituesit e shpallur nga konkursi transparent, po ashtu mund të punësohen sipas pikëve, edhe në këtë shërbim”.
Ministrja, nisur edhe nga ngjarjet e fundit të dhunimit të mjekëve, u shpreh se do vendoset një standard i ri për moslejimin e familjarëve në urgjenca.
“Ne po investojmë për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, po investojmë në pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë, po investojmë për krijimin e një marrëdhënie besimi mes mjekut dhe pacientit, por nuk mund të tolerohet më që mjekët të mos lejohen të bëjnë punën e tyre, ndaj do të vendosim një regjim të ri në spitale, ku nuk do të lejohen familjarët në urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku. Gjej rastin të bëj një apel, një lutje për qytetarët, të mirëkuptojnë personelin mjekësor”
Urgjenca e re e shërbimit infektiv ka një kapacitet prej 15 shtretërish, nga 6 që kishte shërbimi i mëparshëm dhe i shërben rreth 40.000 pacientëve në vit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.