Mungesa e specialistëve – Ministria e Shëndetësisë “detyron” mjekët të shkojnë në rrethe
Mungesës së mjekëve specialistë në spitalet rajonale po i jepet një zgjidhje konkrete duke “detyruar“ mjekët e spitaleve universitare që të shkojnë ku ka nevojë.
Sipas Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu spitalet universitare do të nisin zbatimin e një modeli të ri patronazhimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialist.
“Kemi gati planin për Spitalet universitare të cilat do të nisin zbatimin e një modeli të ri Patronazhimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialistë sipas që kanë spitalet rajonale. Çdo të thotë kjo? Incentivat financiare dhe bonuset që kemi përcaktuar do të jetë instrumenti që do mundësojë shpërndarjen e mjekësve aty ku është nevoja, pra spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbim të specializuar në spitalet rajonale, e për të shmangur kështu mbingarkesën në spitalet e Tiranës, por mbi të gjitha për të afruar shërbimin mjekësor aty ku është nevoja. Asnjë spital nuk do të dërgojë pacientë direkt në spitalet universitare, pa ndjekur sistemin e brendshëm referimi dhe pa u konsultuar me mjekët e shërbimit terciar. Konsultat do te kryhen përmes sistemeve si telemjekësia, përjashtuar këtu rastet urgjente, të përcaktuara qarte në protokollet e miratuara”, tha Manastirliu.
Sipas Manastirliut në 2018 do të implementohen një sërë shërbimesh të reja në sistemin shëndetësor. Referuar laboratorëve do të kemi një shtim të gamës së analizave që do të ofrohen në spitalet publike. Kështu do të ofrohen rreth 164 analiza nga 70 që ofrohen aktualisht.
“Përmes partneritetit publik privat, nga viti i ardhshëm zgjerojmë gamën e analizave laboratorike në shërbimin publik, nga 20-70 lloje analizash që ofrohen sot, në 164 teste, duke 3-fishuar analizat që do të kryhen falas në spitalet publike. Jo vetëm do të zgjerojmë gamën e analizave, por do te vendosim një standard të ri të certifikuar të shërbimit laboratorik”.
Këto risi u bënë publike nga Ministrja e Shëndetësisë në prezantimin e strategjisë Shëndetësore 2020, e cila u bë në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.