Mungesat e mjekëve në vend – Manastirliu: Në 2018 “zbuten” mungesat me 314 specialistët e parë
Nevoja për mjekë specialist në të gjithë vendin vazhdon të mbetet problem, por duket se nga viti i ardhshëm do të kemi rreth 314 mjekë specialistë të cilët do të përfundojnë studimet e tyre dhe do të punësohen në qendrat spitalore ku ka më shumë nevojë. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, sipas të cilës, të gjithë këta mjekë specialistë do të zbusin boshllëkun e krijuar.
“Pas hapjes së specializimeve për të gjitha fushat e mjekësisë, tashmë po studiojnë rreth 600 specializantë. Duke filluar nga viti i ardhshëm, do të kemi 314 specializantët e parë në disa shërbime ku nevojat janë akute, në të gjithë vendin. Duke filluar nga viti 2018 do të kemi 12 pediatër të rinj, 9 onkologë, 12 mjekë urgjence, 18 obstetër – gjinekologë, 8 neurologë, 14 kirurgë të përgjithshëm, 18 kardiologë, 14 anestezistë, që do të zbusin boshllëkun e krijuar”.
Më tej ministrja e Shëndetësisë u shpreh edhe për mbështetjen Financiare që po ju jepet mjekëve në vend duke përdorur rritjen e pagës me 10% por edhe trajtimin me bonus për mjekët që ofrojnë shërbimet shëndetësore përkatësisht, 10 mijë lekë në ditë për mjekët që ikin nga spitalet Universitare drejt atyre rajonale dhe 5 mijë lekë për mjekët që shkojnë nga spitalet rajonale përsëri në spitale rajonale.
“Por sigurisht që fenomeni i mungesës së mjekëve nuk është një fenomen i veçuar shqiptar. Por është detyra jonë të marrim masat e nevojshme, duke mbështetur financiarisht profesionistët e shëndetit, me rritjen më të madhe të pagave në këto 25 vite. Janë 20.000 mjekë e infermierë në sistemin shëndetësor që përfitojnë rritje 10% të pagës, por jo vetëm. Ne kemi rritur ndjeshëm pagesën për vështirësi në punë, përkatësisht 18.000 mijë lekë për mjekët që punojnë në shërbimin e urgjencës dhe reanimacionit, 12.000 për infermierët dhe laborantët po në këto shërbime si dhe dyfishimi i pagesës për shërbimin roje. Ndërkohë, një tjetër incentivë për mjekët është edhe bonusi prej 10 mijë lekësh në ditë, ose 100 mijë lekë të vjetra në ditë për mjekët që shkojnë nga spitalet Universitare në spitalet Rajonale për të ofruar konsulta, apo ndërhyrjet kirurgjikale, po ashtu dhe nga 50 mijë lekë në ditë, për mjekët të cilët shkojnë nga spitalet Rajonale në spitalet Rajonale”.
Këto deklarata ministrja e Shëndetësisë i bëri në hapje të Konferencës Kombëtare të Shkencave Mjekësore IV. Kjo konferencë e organizuar nga Universiteti i Mjekësisë nisi në datë 21 do të vazhdojë deri në datën 23 prill.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.