Mungesat në mjekë specialistë në rrethe – Nis nga materniteti i Burrelit sistemi i patronazhimit
Ka nisur të zbatohet në rrethe sistemi i patronazhimit të spitaleve rajonale dhe bashkiake nga spitalet universitare të Tiranës. Mungesat në mjekë gjinekologë në spitalin e Burrelit prej dy ditësh po mbulohen nga Dr. Arjan Alikaj dhe Dr. Vezir Teno nga materniteti i Tiranës “Koço Gliozheni”.
Patronazhimi ka ardhur pas kërkesës zyrtare nga ana e spitalit “Xhavit Mara” drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Vetë ministrja Ogerta Manastirliu e vlerësoi faktin që ky sistem ka nisur nga kujdesi për nënën dhe fëmijën, ndërsa është një veprim që fuqizon më tepër spitalet e rretheve dhe rrit cilësinë e shërbimeve.
Sipas ministres, në vijim nevojat për mjekë gjinekologë në spitalin e Burrelit do të plotësohen nga materniteti “Koço Gliozheni” me një sistem rotacioni 2 mjekë në javë, me shërbim 24 orë.
Në këtë mënyrë banorët nuk kanë pse t’u drejtohen materniteteve të Lezhës apo Tiranës.
Sisteme të ngjashme patronazhimi pritet të vendosen në të gjitha spitalet rajonalë dhe bashkiake, duke plotësuar nevojat e raportuara.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.