Mungesë kushtesh higjeno-sanitare – Policia gjobit me 400 mijë lekë 2 fasoneri në Krujë
Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të masave të ndërmara në vend nga situata e pandemisë ka ndëshkuar me masë administrative 2 fasoneri dhe ka bllokuar 2 mjete që transportonin punëtorët.
Sipas njoftimit strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me ISHSH, në vijim të kontrolleve për subjektet që nuk kanë zbatuar masat e mara për parandalimin e gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, kanë marrë masë administrative ndaj 2 fasonerive në Krujë.
Policia bën me dije se një fasoneri u ndëshkua me 100.000 lekë, për mosrespektimin e distancës midis punëtorëve dhe një tjetër u ndëshkua me 300.000 lekë, për mosrespektimin e distancës në automjetin e punonjësve. Mjetet janë sekuestruar dhe aktiviteti i fasonerisë u mbyll për mungesë së kushteve higjeno-sanitare.
Policia vijon kontrollet në territor për monitorimin e zbatimit të masave dhe apelon për të gjithë qytetarët, bizneset dhe drejtuesit e automjeteve që të respektojnë masat kufizuese dhe masat mbrojtëse.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.