Mungojnë 5.7 mld lekë investime 8-mujori / Ecuri e dobët në raport me planin
8 muajt e parë të vitit janë mbyllur me 5.7 miliardë lekë më pak investime publike në vend nga sa ishin parashikuar të bëheshin nga qeveria. Të dhënat fiskale të Ministrisë së Financave tregojnë se për periudhën Janar-Gusht 2019 janë disbursuar 38 miliardë lekë për punët publike, ndërsa plani për këtë periudhë ishte 43.7 miliardë lekë.
Po ashtu, krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, sërish investimet paraqiten në ditët e tyre më të këqija, pasi regjistrohen në 1.6 miliardë lekë më pak, edhe pse buxheti i planifikuar total për këtë zë është rreth 4 miliardë lekë më pak se ai i parashikuar gjatë këtij vitit. Një ndër shkaqet që kanë ndikuar në “bllokimin” e investimeve janë edhe zgjedhjet vendore që u mbajtën në muajin Qershor, megjithatë duke u nisur nga praktika e vitit të kaluar, përgjithësisht qeveria e “zgjidh” qesen në muajin e fundit të vitit.
Ndërkaq, sipas buxhetit faktik 2018, 8 miliardë lekë mbetën të pashpërndara për shkak të ecurisë së dobët. Në total, gjatë 2019-ës janë parashikuar që të shkojnë për investime, ku përfshihen punët publike, si ndërtimi apo rikonstruksioni i akseve rrugore, mirëmbajta, ndërhyrja në qendrat e qyteteve apo të tjera të kësaj natyre, rreth 90.6 miliardë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.