Mungojnë hetimet për korrupsion – Raporti: Krimet e Rënda vetëm 3 referime, zvarriten dosjet, s’ka njerëz e struktura

Ndërsa korrupsioni i zyrtarëve të lartë është në rend të ditës, Prokuroria e Krimeve të Rënda raporton shifra minimale në këtë drejtim. Scan Televizion ka zbardhur analizën e kësaj Prokurorie për vitin 2018 në drejtim të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ku zbardhen shkaqet e mungesës thuajse të plotë të procedimeve.
“Evidentohet në shifra minimale referimi i veprave penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë me 3 referime dhe në sistemin e drejtësisë 7 referime edhe këto me mangësi në të dhëna, megjithëse shihet si një domosdoshmëri në luftën kundër këtij fenomeni mjaft shqetësues”, theksohet në dokument.
Një pjesë të mirë të fajit, Krimet e Rënda ja veshin mungesës së një seksion i veçantë për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve të drejtësisë në Policinë e Shtetit, strukturë e cila do të sillte një bashkërendim më të mirë dhe identifikimin e rezultateve konkrete për këto vepra penale. Po ashtu, theksohet në analizë, edhe në drejtim të hetimit pasuror evidentohen problematika të ndryshme, pasi aktet referuese nuk plotësojnë kushtet e referimit pasuror dhe nga verifikimi nuk rezultojnë pasuri si dhe në rastin e referimeve pa u kryer paraprakisht verifikimet e nevojshme qe mund te kryhen nga prokuroritë e shkallës pare në rrethe.
Ndërkohë që një pjesë e fajit bie mbi lëvizjet e prokurorëve. Në uljen e shpejtësisë në hetime pranë kësaj prokurorie ndikim ka patur dhe fakti që që nga muaji qershor 2018, me largimin e prokurorit H.L, dhe me pas në vijimi dhe me largimin e katër prokurorëve të tjerë duke u caktuar në detyra pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore.
Prokuroria e krimeve të rënda ka ushtruar veprimtarinë e saj me 5 prokurorë më pak në organikë, theksohet në analizë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.