Muri kushton $21.6 mld/Departamenti i Sigurisë “rrëzon” Trump, jo $12 mld

Muri i famshëm në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës do të kushtojë 21.6 miliardë dollarë dhe do të kërkojë pak më shumë se tre vite për tu ndërtuar. Këto të dhëna figurojnë në një raport të departamentit amerikan të sigurisë, të publikuar pjesërisht nga Reuters.
Kosto e ndërtimit të murit është thuajse dy herë më e lartë se ajo që deklaronte Donald Trump gjatë fushatës elektorale dhe ndjeshëm më e lartë se 15 miliardë dollarë që projektonte kryetari republikan i senatit, Paul Ryan.
Ky raport pritet t`i prezantohet departamentit të sigurisë së brendshme gjatë ditëve në vijim. Në këtë plan thuhet se, kufiri do të mund të hermetizohet nëpërmjet tre fazave, e fundit prej të cilave, përfundon jo më herët se viti 2020.
Muri do të jetë i gjatë 2000 kilometra. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë raport, duke deklaruar se është e pavend të bëhen deklarata mbi diçka ende jo zyrtare. Nga ana tjetër, plani parashikon që departamenti i sigurisë do të marrë financime nga kongresi gjatë periudhës Prill-Maj të këtij viti.
Çështja e financimit të murit është kthyer në një debat publik, që i ka kaluar kufijtë. Presidenti Trump pretendon që kongresi ta financojë atë paraprakisht dhe se do të jenë meksikanët që do t`i rimbursojnë taksapaguesit amerikanë me mjete alternative, si psh ajo e vendosjes së një takse shtesë prej 20% mbi produktet meksikane të importit. Por ky propozim nuk është edhe aq efikas, duke qenë se, kosto do të binte më së shumti mbi vetë amerikanët. Një kompani private thekson se pasiguritë në lidhje me murin, mund ti çojnë kostot deri në 25 miliardë dollarë.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.