Mustafa: Jemi të interesuar që kompanitë e Kosovës të konkurrojnë në tregun e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat “Ditët e Biznesit tё Vogël 2017” në Istog, nga ku theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e sektorit privat.
“Ne si qeveri jemi përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i japim prioritet kryesor. Kemi pasur premtime lidhur me shkallën e rritjes ekonomike të cilën ne e synojmë, e cila pastaj mundëson që ne të përballojmë fluksin e të papunëve, sidomos të të rinjve dhe grave ku kemi papunësi të madhe. Kemi vërejtur se janë bërë përparime të konsiderueshme, por kërkohet edhe kohë që ne të kemi investime më të mëdha të cilat pastaj do të krijonin hapësirë për punësim më të madh, edhe për ndryshimin e bilancit tregtar me jashtë, sepse kemi një bilanc tregtar i cili është tepër i pavolitshëm për Kosovën për arsye se kemi importet shumë të mëdha dhe në krahasim me këtë pastaj kemi pjesëmarrjen e eksporteve të ultë”, tha Mustafa.
Kryeministri tha se nuk mjafton të lëvdohemi me qasjen në një treg që ka mbi 500 milionë banorë, siç është tregu i Bashkimit Evropian, por duhet të punohet edhe në konkurrueshmërinë e kompanive për t’u përgjigjur kërkesave të këtij tregu, raporton Kosovapress.
Çmimet dhe mirënjohjet e marra së fundi nga institucionet e rëndësishme botërore, kryeministri Mustafa tha se janë faktorë nxitës për punë të mëtejshme, duke përmendur edhe punët tjera që janë bërë në fushën e energjetikës, turizmit, dhe në zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të ATK-së, të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.