Mustafa: Kosova po vlerësohet si rezultat i përkushtimit në zhvillimin ekonomik
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka përgëzuar qytetarët për dy vlerësime që ka marrë së fundmi Kosova.
Sipas tij vlerësimi i parë është ai i Forumit Botëror të Investitorëve 2017, ku Qeveria e Kosovës fitoi çmimin “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e sipërmarrjes”, si dhe vlerësimin e “Heritage Foundation”, i cili e ka renditur Kosovën në vendin e 46-të në botë dhe të 22-të në Evropë për sa i përket lirisë ekonomike.
“Dëshiroj po ashtu të përgëzoj Kosovën, Qeverinë apo Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mirënjohjen që është dhënë si ‘Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e sipërmarrjes’. Ky çmim na është dhënë në Forumin Botëror të Investitorëve 2017, që u mbajt në Stamboll”, tha ai.
Çmimi është pranuar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, për përmirësimin e mjedisit dhe krijimit të politikave të favorshme të sipërmarrjes.
“Kosova është vlerësuar nga juria ndërkombëtare e Forumit si vendi më reformator sa i përket mbështetjes së ndërmarrjeve të reja (start-up). Juria ka marrë për bazë reformat sa i përket fillimit, përkatësisht regjistrimit të bizneseve, duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore ku Kosova është ngritur në vendin e 13-të në nivel botëror nga vendi i 47-së sa ishte një vit më parë. Po ashtu juria ndërkombëtare ka konstatuar se Kosova ka lehtësuar procedurat burokratike, ka thjeshtëzuar sistemin e tatimeve dhe ka ndërtuar një nga regjimet më të ulëta të taksave në Evropë, me 10 % tatim në të ardhura dhe me 0 % tatim në dividendë”, tha kryeministri.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.