Mustafa: Verbëri dhe papërgjegjësi politike mungesa e liberalizimit të vizave

Në Prishtinë u organizuar sot ceremonia me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, si edhe për njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Isa Mustafa u shpreh se Kosova ngadalë po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale. Sipas tij, përmes këtij anëtarësimi, Kosova do të mund të rrisë eficiencën në administrimin e doganave.
“Unioni Botëror i Doganave, luan një rol prijës në diskutimin, zhvillimin, promovimin, implementimin e sistemit modern të doganave dhe të procedurave moderne doganore. Kjo është me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, për implementimin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për avancimin e raporteve me komunitetin ndërkombëtar siç janë raportet tregtare dhe ekonomike me të gjithë anëtarët e kësaj konvente që tash jemi 181”, u shpreh Mustafa.
Sakaq, kryeministri u zotua për zbatimin e përgjegjësive të ngarkuara nga BE, por e konsideroi jo logjike regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk ka asnjë kauzë politike dhe asnjë luftë politike që e arsyeton mbajtjen peng të qytetarëve tanë, t’u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë të tyre, e drejta që ata të jenë të barabartë me qytetarët e tjerë evropianë. Vazhdimi i sjelljes së tillë është verbëri dhe papërgjegjësi e madhe politike ndaj interesave të vendit dhe ndaj asaj çfarë ne do t’u ofrojmë qytetarëve tanë”, tha Mustafa.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.