Mutacioni i virusit mbërrin në Ballkan – Serbia raporton rastin e parë të variantit të ri të koronavirusit
Rasti i parë i një varianti të ri të koronavirusit është zbuluar në Serbi te një grua e cila mbërriti nga Londra, por nuk është planifikuar asnjë bllokim i ri, u citua të Dielën Presidenti Aleksandar Vuçiç.
Disa variante të reja të virusit janë zbuluar në të gjithë botën, duke përfshirë një variant shumë ngjitës dhe potencialisht më vdekjeprurës, të identifikuar së pari në Anglinë juglindore dhe tani i përhapur në Britani.
Vuçiç tha se të gjithë ata që kishin qenë në kontakt me gruan e infektuar ishin vënë nën izolim, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Tanjug.
“Varianti i ri u zbulua në kohë dhe nuk do të ketë bllokim,” citoi të thoshte Vuçiç. “Është e rëndësishme të vazhdohet me vaksinimin.”
Deri më tani rreth 172,000 njerëz janë vaksinuar në Serbi me tre vaksina të regjistruara në vend, vaksina nga Pfizer dhe BioNTech, vaksina Sputnik V e Rusisë dhe Sinopharm e Kinës.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, inokulimi ka filluar vetëm në Serbi dhe Shqipëri, ndërsa Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë marrë ende furnizime të ndonjë vaksine.
Serbia të Dielën raportoi 1,318 raste të reja COVID dhe 18 vdekje në 24 orët e fundit.
Vendi ballkanik prej 7 milionësh ka raportuar 383,603 infeksione me koronavirus dhe 3,886 vdekje që nga marsi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.