Muzeu i BSH – Sejko: Qendër e edukimit financiar

Nisi të mërkurën punimet Konferenca e Parë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë me temë: “Paraja dhe bankingu në Shqipëri, nga Antikiteti në ditët tona”.
Në fjalën e tij, Guvernatori Gent Sejko, tha se Muzeu i Bankës së Shqipërisë nuk ka si qëllim vetëm të sjellë monedhën shqiptare dhe historinë e saj, por, mbi të gjitha është një projekt që i shërben forcimit të edukimit dhe kulturës financiare të publikut.
“Muzeu ynë nuk është vetëm një muze monedhe, ai është muzeu i Bankës Qendrore, objektiv thelbësor i së cilës është edhe edukimi financiar i publikut. Publiku duhet të informohet që të marrë veprime të drejta dhe të shëndosha financiare, të cilat gjithashtu kontribuojnë në stabilitetin financiar të një vendi. Për këto arsye, kati i dytë i muzeut të Bankës së Shqipërisë përfaqëson një qendër informacioni, ku përmes aktivitetesh, botimesh edukative, leksionesh, filmash dhe aplikacionesh për vizitorë, pavarësisht moshës së tyre, informohen mbi produktet dhe sistemin financiar”.
Konferenca e Muzeut të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet gjatë dy ditëve, me pjesëmarrjen e historianëve, akademikëve, studiuesve dhe koleksionistëve.
Gjatë punimeve të konferencës do të diskutohet mbi tema të historisë së zhvillimit të parasë dhe bankingut në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.