Muzika e lartë – Gjobiten lokalet – Policia mbyll aktivitetin për 1 vit dhe vendos 2 milion lekë masa administrative subjekteve
Policia e shtetit po vijon kontrollet në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Sipas Policisë së Shtetit në vijim të kontrolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020 dhe Aktit Normativ Nr. 30 datë 20.07.2020, për “Mosrespektim të detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura nga subjektet”, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh në Durrës kanë konstatuar mbrëmjen e djeshme shtetasin K. P., që ushtronte aktivitet të shoqëruar me muzikë në subjektin e tij dhe në përfundim të veprimeve të para shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh i kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Ndërkaq edhe nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë kontrollet në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ dhe si pasojë e organizimit në mënyrë të përsëritur aktivitet me muzikë në një lokal nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Policia i pezullon aktivitetin për një periudhë 1-vjeçare.
Në njoftim thuhet se në vijim të kontrolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020 dhe Aktit Normativ Nr. 30 datë 20.07.2020, Neni 1 pika 7/1 për “Mosrespektim të detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura nga subjektet”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar mbrëmjen e djeshme një subjekt night club me muzikë që ushtronte aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme dhe në përfundim të veprimeve të para u mor masa për mbylljen e këtij aktiviteti, për një periudhë 1-vjeçare. (Më parë subjektit në fjalë i është vendosur gjoba 1.000.000 lekë).
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.