Nafta bie lehtë – Investitorët, të shqetësuar për një recesion në SHBA

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve se ngadalësimi i ekonomisë globale do të dëmtojë kërkesën, që ka eklipsuar në një farë mase marrëveshjen e OPEC për uljen e prodhimit.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.6 dollarë për fuçi. Megjithatë, dy bençmarkët po tregtohen pranë nivelit më të lartë që nga nëntori i vitit 2018. Shqetësimet për një recesion në Shtetet e Bashkuara u përshkallëzuan të premten, pasi komentet e Rezervës Federale shkaktuan një rënie të yieldit të obligacioneve 10-vjeçare amerikane poshtë mesatares 3 mujore, për herë të parë që nga viti 2007.
Edhe në Gjermani, që është ekonomia më e madhe në Europë, prodhimi i manifakturës ra për të tretin muaj me radhë. Ndërkohë, Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, synon të rrisë çmimet e naftës drejt 70 dollarëve për fuçi. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe disa aleatë të tjerë më në krye Rusinë, të njohur ndryshe si OPEC+, kanë rënë dakord të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë.
Marrëveshja hyri në fuqi në janar të këtij viti dhe do të jetë e vlefshme deri në qershor.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.