Nafta bie lehtë – Rritja e prodhimit në SHBA, rrëzon çmimet
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, duke u tërhequr nga niveli më i lartë që nga viti 2015, të regjistruar një ditë më parë.
Rritja e prodhimit të naftës në SHBA dhe pritshmëritë për rihapjen e tubacionit Forties në Janar kanë rrëzuar çmimet. Megjithatë, tregtia po karakterizohet nga një volum i ulët, për shkak të festave të fundvitit.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 64.6 dollarë për fuçi.
Në sesionin e kaluar, nafta Brent u rrit në 64.9 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2015. Në rënien e çmimeve ka ndikuar edhe pritshmëria që tubacioni Forties, që transporton rreth 450 mijë fuçi në ditë nga Deti i Veriut drejt Britanisë, do të rifillojë punën në Janar.
Operatori i këtij tubacioni deklaroi të Premten se, puna do të rifillojë normalisht në ditët e para të vitit të ardhshëm. Në terma afatgjatë, analistët parashikojnë se, rritja e prodhimit në SHBA, në rreth 10 milionë fuçi në ditë, do të vendosë nën presion çmimet.
Kjo mund të dëmtojë edhe marrëveshjen për uljen e prodhimit nga Vendet Eksportuese të Naftës, që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti dhe skadon në fund të vitit 2018.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.