Nafta bie lehtë – Tregu karakterizohet nga optimizmi

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin eksportet, pas rritjes së çmimeve gjatë javës së kaluar.
Nafta Brent e Londrës vazhdon të tregtohet mbi 60.6 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2015. Edhe nafta Bruto amerikane po tregtohet mbi 54 dollarë për fuçi. Tregtarët dhe brokerat shprehen se, investitorët po ripozicionohen, pasi çmimet janë rritur me rreth 5%, gjatë tetorit.
Tashmë që çmimet po qëndrojnë në nivele të larta, analistët mendojnë se, mund të rritet prodhimi i naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga mesi i vitit 2016, prodhimi i naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara është rritur me rreth 13%, në rreth 9.5 milionë fuçi në ditë.
Pavarësisht rënies së lehtë në sesionin e sotëm, besim në treg është pozitiv, për shkak të pritshmërive se, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, plus Rusia dhe nëntë vende të tjera, do të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm.
Gjatë javës së kaluar, Arabia Saudite dhe Rusia janë shprehur pro shtyrjes së marrëveshjes me të paktën 9 muaj. OPEC do të takohet në 30 nëntor në Vjenë për të diskutuar politikat e ardhshme të naftës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.