Nafta bie me mbi 4% në nisje të Javës – Rikthimi i karantinës në Kinë ngre shqetësime mbi kërkesën!

Nafta ka rënë me mbi 5 dollarë për fuçi ditën e Hënë, prej shqetësimeve në lidhje me kërkesën në Kinë, ndërkohë që qendra financiare, Shangai, riktheu masat e karantinës, për të përmbajtur rritjen e rasteve me Covid-19.
Tregu nisi një tjetër javë të pasigurive, me çmimet që po mbështeten nga njëra anë prej luftës në Ukrainë, dhe po goditen nga ana tjetër nga masat e karantinës në Kinë, që është importuesi më i madh i naftës bruto në botë.
Nafta brent, çmimi në bursën e Londrës, ra 4.3% në 115.32 dollarë për fuçi në nisje të tregtisë, ndërsa nafta bruto amerikane, shënoi nivelin e ulët prej 108.28 dollarë për fuçi, në rënie me 4.7%.
Të dy kontratat u rritën me 1.4% të Premten e kaluar, duke shënuar rritjen e parë javore në 3, me naftën Brent që shtoi 11.8% për javën e plotë, ndërsa naftën bruto, 8.8%.
Shangai nisi një karantinë me 2 faza në qytetin prej 26 milionë banorë ditën e Hënë, duke mbyllur ura dhe tunele, dhe kufizuar trafikun në autostrada, për të përmbajtur rritjen lokale të rasteve me Covid-19.
Megjithatë, analistët thonë se pritet një rikthim i optimizmit për çmimet, kur Organizatat e Vendeve Eksportuese të Naftës të mblidhet ditën e Enjte, ndërkohë që grupi nuk ka gjasa të rrisë prodhimin me një normë më të shpejt se në muajt e kaluar.
Nga ana tjetër, vlerësimet për përmasën që do të goditen eksportet ruse të naftës nga sanksionet perëndimore, janë të ndryshme. Disa flasin për 1-3 milionë fuçi në ditë, që do të mungojnë në treg.
Rusia ka eksportuar 4.7 milionë fuçi në ditë të naftës bruto në vitin 2021, ç’ka e bën eksportuesin e dytë më të madh në botë pas Arabisë Saudite.
OPEC i ka rezistuar deri më tani thirrjeve nga vendet gjigante konsumatore që të rrisë prodhimin. Karteli ka rritur prodhimin me 400,000 fuçi në ditë që prej Gushtit të vitit të kaluar, për të risjellë në treg shkurtimet e bëra gjatë pandemisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.