Nafta bie nga niveli rekord – Çmimet tërhiqen prej raportimeve se trupat ruse po rikthehen në bazë

Nafta ka rënë nga niveli më i lartë në 7 vite në tregtinë e së Martës, prej raportimeve se disa trupa ushtarak rus të vendosur në kufi me Ukrainën, po rikthehen në bazë, diçka që mund të zbusë tensionet mes Moskës dhe Perëndimit. Agjencia Interfax e lajmeve në Rusi përmendi ministrinë e mbrojtjes, duke thënë se ndërsa stërvitjet ushtarake në vend po vazhdojnë, disa njësi në zonat e Lindjes dhe Perëndimit kanë përfunduar ushtrimet e tyre dhe po rikthehen në bazë.
Nafta brent, çmimi referencë në bursën e Londrës ra me 2.4% në 94.13 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane humbi 2.1% në 93.46 dollarë për fuçi. Të dy kontratat kryesore prekën nivelin më të lartë që prej Shtatorit 2014 në tregtinë e së Hënës, me naftën Brent që u rrit në 96.78 dollarë dhe naftën bruto amerikane që arriti 95.82 dollarë për fuçi. Për vitin 2021, çmimi i naftës Brent është rritur me 50%, ndërkohë që rimëkëmbja e kërkesës botërore nga pandemia ka kufizuar ofertën.
Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, deklaroi ditën e Martë se një sulm rus në Ukrainë ka gjasa, pavarësisht se kryeministri Boris Johnson dhe presidenti amerikan Joe Biden, ranë dakord në një telefonatë ditën e hënë se ka një hapësirë të rëndësishme për diplomaci. Investitorët po monitorojnë gjithashtu bisedimet mes SHBA dhe Iranit, për rikthimin e paktit bërthamor, ç’ka mund të heqë sanksionet ndaj eksporteve të naftës nga Irani.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.