Nafta Brent, pranë 120 dollarë për fuçi – Fokusi te samiti i BE, pritet marrëveshje për embargo ndaj naftës ruse

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e parë të kësaj jave, me Brentin e Londrës që është ngjitur në rreth 120 dollarë për fuçi. Investitorët po presin samitin e Bashkimit Europian, që zhvillohet sot dhe nesër, ku pritet gjerësisht të arrihet një marrëveshje për të ndaluar të gjitha importet e naftës nga Rusia, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Moskës, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Analistët shprehen se nëse sanksionet do të miratohen, atëherë furnizimi i tregut do të tkurret edhe më tej, në një kohë që kërkesa po rritet ndjeshëm, në prag të sezonit të pushimeve, sidomos në Europë dhe në SHBA. Qeveritë e Bashkimit Europian dështuan të dielën të arrinin një marrëveshje për embargon e naftës ruse, por do të vijojnë përpjekjet edhe sot dhe nesër.
Nëse do të ketë një marrëveshje, Hungari, Sllovakia dhe Çekia do të lejohen të importojnë naftë nga Rusia, nëpërmjet tubacionit Druzhba, derisa të gjenden alternativa të tjera. Duke nënvizuar tkurrjen e tregut, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, duke përfshirë Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+, janë të vendosur të kundërshtojnë thirrjet e Perëndimit për të vendosur një rritje të prodhimit në takimin e së enjtes.
Vendet do t’i përmbahen angazhimit të mëparshëm për të rritur prodhimin edhe me 432 mijë fuçi në ditë, gjatë korrikut. Çmimet e naftës janë mbështetur edhe nga rënia e dollarit amerikan, që i bën lëndët e para të denominuara në monedhën e gjelbër më të lira për zotëruesit e monedhave të tjera.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.