Nafta, drejt javës së 4-t radhazi të rritjeve – Çmimet mbështeten nga kufizimet në ofertë dhe rënia e dollarit

Nafta është rritur në tregtinë e fundit të Javës dhe pritet të tregojë javën e katërt radhazi të rritjeve, nxitur nga kufizimet në ofertë dhe dollari i dobët, pavarësisht kërcënimit të një nxjerrjeje në treg të rezervave gjigante të naftës në Kinë. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, u rrit me 1.09% në nivelin më të lartë në 2 muaj prej 85.32 dollarë për fuçi. NAfta Bruto amerikane, shtoi 0.8% në 82.7 dollarë për fuçi. Nafta amerikane u rikthye në të gjelbër pasi dollari i’u drejtua rënies më të madhe javore në më shumë se 1 vit.
Dollari i dobët e bën naftën më të lirë për mbajtësit e valutave të huaja. Disa banka kanë projektuar çmime të naftës në 100 dollarë për fuçi këtë vit, me kërkesën që pritet të tejkalojë ofertën. Analistët thonë se kur merret në konsideratë që OPEC nuk është gjëkundi me rritjen e prodhimit të naftës, rritja e kërkesës mund të kthehet në faktorin më optimist për çmimet në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, fuqizimi i mëtejshëm u limitua pasi Reuters raportoi se Kina planifikon të nxjerrë në treg rezerva të naftës në pushime të Vitit të Ri Hënor, mes 31 Janarit dhe 6 Shkurtit, ç’ka është pjesë e planit të koordinuar nga Shtetet e Bashkuara dhe konsumatorë të tjerë të mëdhenj për të reduktuar çmimet botërore. Departamenti i Energjisë në SHBA, theksoi se ka shitur 18 milionë fuçi të rezervave strategjike të naftës.
Kina ka publikuar gjithashtu rënien e parë vjetore të importeve të naftës në 2 dekada, pavarësisht se tregtarët presin që importet të rimëkëmben këtë vit. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime mbi kërkesën për karburant në konsumatorin e dytë më të madh të naftës në botë, Kinën, për shkak se varianti Omicron i koronavirusit është përhapur në qytetet Dalian dhe Tianjin. Shumë qytete, përfshirë Pekinin, i kanë bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë gjatë pushimeve të Vitit të Ri Hënor, ç’ka mund të zbusë kërkesën për karburant gjatë pikut të sezonit të udhëtimeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.