Nafta, drejt nivelit më të lartë në 7 vite – Çmimet nxiten nga rënia e inventarëve. Tregtarët presin lëvizjen e OPEC
Nafta është rritur në tregtinë e së Mërkurës, drejt nivelit më të lartë në 7 vite që preku javën e kaluar, pasi rënia e inventarëve në Shtetet e Bashkuara, konfirmoi kërkesën e fortë. Megjithatë, investitorët janë treguar të kujdesshëm përpara takimit të OPEC, më vonë gjatë ditës. Nafta Brent e Londrës, u rrit me 0.1% në 89.27 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane (WTI), shtoi 0.2%, në 88.34 dollarë për fuçi.
Oferta e tkurrur në nivel global dhe tensionet gjeopolitike në Europën Lindore dhe Lindjen e Mesme, kanë nxitur çmimet e naftës me rreth 15% deri më tani për vitin. Inventarët e naftës bruto në SHBA ranë me 1.6 milionë fuçi për javën që përfundoi më 28 Janar, kundër pritshmërive të analistëve për një rritje me 1.5 milionë fuçi, sipas Institutit Amerikan të Naftës.
Megjithatë, inventarët e benzinës u rritën me 5.8 milionë fuçi, sipër projeksioneve të analistëve për një rritje me 1.6 milionë fuçi. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, së bashku me aleatët si Rusia, që njihet si OPEC+, me shumë gjasa pritet të ruajë politikat ekzistuese për një rritje mesatare të prodhimit, në takimin më vonë gjatë ditës. Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë vënë gjithashtu çmimet nën presion. Rusia, prodhuesi i dytë më i madh në botë i naftës dhe perëndimi, janë përplasur për mbledhjen e trupave rus në Ukrainë, duke ngritur shqetësimet se furnizimet me energji drejt Europës mund të ndërpriten.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.