Nafta, drejt rritjeve javore – Çmimet fuqizohen prej trazirave në Kazakistan dhe ndërprerjeve në Libi

Nafta është rritur në tregtinë e së Premtes, duke i’u drejtuar rritjeve më të mëdha javore që prej mesit të Dhjetorit, nxitur nga problemet me furnizimin, në një kohë të tensioneve në Kazakistan dhe ndërprerjeve nga Libia. Nafta Brent e Londrës u rrit me 0.63% në 82.61 dollarë për fuçi, pasi u rrit me 1.5% në tregtinë e kaluar. Nafta bruto amerikane shtoi 0.72%, në 80.03 dollarë për fuçi, pas një rritjeje me 2.1%.
Të dy çmimet referencë botërorë janë pranë një rritjeje me mbi 6% për javën e parë të vitit, ndërkohë që shqetësimet në lidhje me ofertën, tejkaluan përhapjen e shpejtë të variantit omicron, që mund të godasë kërkesën. Pas ditëve të trazirave në Kazakistan, ku qeveria shpalli gjendjen e emergjencës, Rusia dërgoi trupa ushtarake për të “shtypur” kryengritjen. Protestat nisën në rajonin e pasur me naftë në perëndim të Kazakistanit pasi u hoqën tavanet në çmime ndaj butanit dhe propanit për ditën e Vitit të Ri.
Ndërkohë, oferta shtesë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, përfshirë aleatët dhe Rusinë, që njihen së bashku si OPEC+, nuk po ecën me të njëjtin ritëm si kërkesa. Prodhimi i OPEC në Dhjetor u rrit me 70,000 fuçi në ditë nga muaji i kaluar, krahasuar me 253,000 fuçi në ditë rritje që lejohej nga OPEC+.
Prodhimi në Libi ka rënë në 729,000 fuçi në ditë, nga niveli i lartë prej 1.3 milionë fuçi në ditë në vitin e kaluar, pjesërisht prej punëve mirëmbajtëse në tubacione. Ndërkohë që varianti Omicron po zë në mënyrë të shpejt pjesën më të madhe të infeksioneve, problemet në lidhje me kërkesën për naftë po zbuten, prej provave se varianti Omicron është më pak i ashpër se variantet e mëparshme të koronavirusit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.