Nafta e mbyll 2017-ën në rritje – Rënia e prodhimit dhe rezervave në SHBA mbështesin çmimet

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e fundit të vitit 2017 dhe po tregtohen në nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2015. Rënia surprizë e prodhimit në SHBA dhe rënia e rezervave tregtare ka mbështetur çmimet.
Nafta Brent e Londrës, ndërkohë, vijon të mbështetet edhe nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të balancuar tregun, nëpërmjet uljes së prodhimit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.6 dollarë për fuçi.
Që nga fillimi i këtij viti, nafta Brent dhe nafta Bruto janë rritur me 17% dhe 12% respektivisht, ndërsa që nga niveli minimal i këtij viti kanë fituar rreth 40% të vlerës. Në sesionin e sotëm, çmimet po mbështeten nga rënia surprizë e prodhimit në SHBA, gjatë javës së kaluar, në 9 milionë e 754 mijë fuçi në ditë.
Megjithatë, prodhimi në SHBA është rritur me rreth 16%, që nga mesi i vitit 2016 dhe shumica e analistëve parashikojnë se, gjatë vitit të ardhshëm prodhimi do të rritet deri në 10 milionë fuçi në ditë, nivel i përafërt me Arabinë Saudite dhe Rusinë. Gjithashtu, edhe rezervat tregtare në SHBA ranë me 4.6 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 22 dhjetor, në totalin e 431.9 milionë fuçive.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.