Nafta e nis javën në qëndrueshmëri – Investitorët presin takimin e OPEC+. Presion për të rritur prodhimin
Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë në pritje të takimit të OPEC dhe aleatëve, që zhvillohet më vonë gjatë kësaj jave. Analistët dhe tregtarët presin të mësojnë më shumë detaje nëse rritja aktuale e çmimeve dhe rimëkëmbja nga pandemia do të jenë të qëndrueshme. Tre burime brenda grupit deklaruan për Reuters se, vendet nuk do të ndryshojnë marrëveshjen aktuale për të rritur prodhimin edhe me 400 mijë fuçi në ditë, në nëntor dhe dhjetor.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79.5 dollarë për fuçi, ndërsa javën e kaluar u rrit me 1.5%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi, ndërsa javën e kaluar publikoi fitime javore për të gjashtën javë me radhë. Gjatë muajve të fundit, çmimet e naftës janë mbështetur nga çrregullimet në furnizim dhe nga rritja e kërkesës globale. OPEC+, që përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe nga aleatët e tjerë duke përfshirë Rusinë, po përballen me presion nga disa vende të tjera për të rritur prodhimin, në mënyrë që të parandalohet një rritje drastike e çmimeve, në një kohë që kërkesa po rimëkëmbet me shpejtësi.
Në muajin korrik, OPEC+ ra dakord të rrisë prodhimin me 400 mijë fuçi në ditë, çdo muaj, deri në prill të vitit 2022. Njëkohësisht, rritja e çmimeve të naftës është mbështetur nga rritja e çmimeve të gazit me 300%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.