Nafta e nis javën në rënie – Kina sjell shqetësime mbi kërkesën, OPEC ofron mbështetje

Çmimet e naftës janë tërhequr në sesionin e parë tregtar të kësaj jave, për shkak të të dhënave të dobëta mbi ekonominë kineze që kanë sjellë shqetësime mbi kërkesën.
Megjithatë, bisedimet e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës për të shtyrë afatin e uljes së prodhimit kanë vazhduar të ofrojnë mbështetje për çmimet.
Nafta Bruto kuotohej në 49.21 dollarë për fuçi në hapjes të sesionit, ndërsa nafta Brent, në 51.9 dollarë.
Ngadalësimi i aktivitetit në fabrikat kineze ka ulur çmimet. Kjo është java e tretë radhazi që nafta e nis tregtinë në rënie.
Inventarët e mëdha kanë sjellë gjithashtu ndikim negativ në çmime, duke shtuar shqetësimet për tepricën e vazhdueshme në treg.
Ministri i naftës në Iran tha gjatë javës së kaluar se OPEC dhe vende të tjera jo-anëtare të organizatës, përfshirë Rusinë, janë pranë një dakordësie për të zgjatur përtej muajit Qershor uljen e prodhimit.
Analistët thonë se nëse OPEC bie dakord të shtyjë afatin, inventarët globalë mund të pësojnë rënie deri në fund të këtij viti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.