Nafta e nis javën në rënie – OPEC dhe Rusia mund të rrisin prodhimin
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme, edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e javës së kaluar, pasi Arabia Saudite dhe Rusia deklaruan se mund të rrisin prodhimin, ndërsa prodhimi në SHBA vijon rritjen.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 66 dollarë për fuçi. Që nga niveli maksimal të regjistruar gjatë këtij muaji, nafta Bruto amerikane dhe nafta Brent e Londrës kanë rënë me 6.4% dhe 9.1% respektivisht.
Edhe në Shanghai nafta Bruto ka rënë me rreth 4.8% në 457.7 juan ose 71.64 dollarë. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, prodhuesi më i madh në botë, Rusia, dhe disa vende të tjera filluan në janar të 2017 marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë, për të rritur çmimet, që në vitin 2016 prekën një nivel minimal prej 30 dollarë për fuçi.
Por, që nga ajo periudhë çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, duke u tregtuar pranë 80 dollarëve në mes të majit.
Tashmë, për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit dhe Venezuelës, Arabia Saudite, që është de-facto lider i OPEC, dhe Rusia mund të rrisin prodhimin me rreth 1 milionë fuçi në ditë.
Përsa i përket të dhënave të publikuara në SHBA, kompanitë e energjisë e rritën me 15 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 25 maj, në totalin e 859 puseve, niveli më i lartë që nga viti 2015.
Gjatë dy viteve të fundit, prodhimi i naftës në SHBA është rritur me 27% dhe tashmë gjendet në rreth 10.73 milionë fuçi në ditë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.