Nafta e nis javën në rënie – Rritet prodhimi në Rusi dhe në SHBA
Çmimet e naftës kanë vijuar tendencën në rënie edhe në fillim të kësaj jave, për shkak të rritjes së prodhimit nga Rusia dhe zgjerimit të aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA.
Në anën tjetër humbjet po kufizohen nga rënie e eksporteve në Venezuelë dhe Iran. Analistët parashikojnë se, rritja e prodhimit në SHBA do të eklipsojnë uljen e prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, që po qëndron në fuqi prej 18 muajsh.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.6 dollarë për fuçi. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA, numri i puseve aktive u rrit në 862, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2015.
Kjo përkthehet në një rritje të prodhimit në terma afat-shkurtër, që aktualisht gjendet në 10.8 milionë fuçi në ditë. Agjencia ruse e lajmeve, Interfax deklaroi se prodhimi në Rusi u rrit në 11.1 milionë fuçi në ditë, në fillim të qershorit.
Në anën tjetër, tregu është nën presion, për shkak të rënies së vazhdueshme të prodhimit në Venezuelë dhe pritshmërive edhe për rënien e eksporteve nga Irani.
Prodhimi në Venezuelë po bie për shkak të sanksioneve amerikane, krizës ekonomike dhe manaxhimit të keq të këtij sektori. Edhe Irani përballet me sanksionet amerikane, që pritet të ndikojnë eksportet në muajt në vijim.
Gjithsesi, shumë paqartësi do të diskutohen në takimin e 22 qershorit në Vjenë mes OPEC dhe partnerëve që nuk janë pjesë e organizatës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.