Nafta e nis javën në rënie – Rritja e prodhimit në SHBA vendos nën presion çmimet

Çmimet e naftës e filluan në rënie këtë javë, për shkak të rritjes së prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që cilësohet si kërcënimin kryesor për marrëveshjen e uljes së prodhimit nga OPEC dhe Rusia. Nafta Brent e Londrës po tregtohet mbi 70 dollarë për fuçi, shumë pranë nivelit më të lartë në 3 vitet e fundit. Ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohen në rreth 65.8 dollarë për fuçi.
Gjatë muajit janar, nafta Brent ka fituar rreth 6.3% të vlerës, rritja më e madhe për këtë muaj, që nga viti 2013. Një ndër arsyet kryesore në rritjes ka qenë zhvlerësimi i dollarit amerikan, që humbi 3.2% të vlerës përballë monedhave kryesore ndërkombëtare. Rënia më e madhe u shkaktua nga deklarata e rekretarit amerikan të thesarit, i cili tha se dollari i dobët është i mirë për ekonominë amerikane.
Por, megjithatë, analistët shprehen se tregu mund të kërcënohet nga rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Referuar të dhënave, prodhimi i naftës në ekonominë më të madhe në botë është rritur me rreth 17%, që nga mesi i vitit 2016, në një total prej 9.88 milionë fuçi në ditë. Prodhimi parashikohet të rritet mbi 10 milionë fuçi, shumë shpejt, pasi kompanitë amerikane të energjisë e shtuan aktivitetin e shpim-kërkimit me 12 puse, gjatë javës së kaluar, në totalin e 759 puseve.
Ndërkohë, banka amerikane JP Morgan e rriti me 10 dollarë çmimin mesatar për naftën brent, gjatë këtij viti, në një çmim prej 70 dollarë për fuçi. Për naftën Bruto amerikane parashikohet një çmim mesatar prej 65.63 dollarë, nga 55 dollarë që parashikohej më parë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.