Nafta e nis javën në rritje – Investitorët, në pritje të takimit të OPEC
Çmimet e naftës e kanë nisur në rritje të konsiderueshme këtë javë, duke rikuperuar një pjesë të vogël të humbjeve të së premtes. Megjithatë, dobësimi i kërkesës dhe paqartësitë mbi ecurinë e ekonomisë globale kanë kufizuar humbjet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.1 dollarë për fuçi. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se, kërkesa globale për naftë do të arrijë nivelin e 100 milionë fuçive në ditë, me një rritje prej 1.4 milionë fuçi në ditë, në rënie nga parashikimi i qershorit prej 1.5 milionë fuçi në ditë.
Forcimi i dollarit amerikan, që ka dëmtuar kërkesën në disa vende në zhvillim, ka rritur njëkohësisht edhe kostot e huamarrjes. Një shqetësim konstant për investitorët është edhe lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i ka bërë investitorët të largohen nga asetet që janë të lidhura me ekonominë globale, si nafta dhe aksionet.
Vetëm gjatë nëntorit fondet e ndryshme kanë tërhequr rreth 12 miliardë dollarë nga tregu i naftës. Agjencia Fitch parashikon se, takimi i 6 dhjetorit mes OPEC dhe Rusisë mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ndalur rënien e çmimeve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.