Nafta e nis javën në rritje / Mbështetet nga kërkesa e fortë gjatë sezonit të pushimeve

Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të kërkesës së fortë gjatë sezonit të pushimeve dhe pauzës në bisedimet bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71.8 dollarë për fuçi. Javën e kaluar, të dy bençmarkët publikuan fitime për të katërtën javë me radhë, për shkak të optimizmit mbi hapin e shpejtë të vaksinimit dhe rritjes së kërkesës gjatë sezonit veror. Ndërkohë, negociatat për të rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive të mëdha janë pezulluar për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Iran, që u fituan nga Ebrahim Raisi. Dy diplomatë deklaruan se bisedimet o të rifillojnë brenda 10 ditësh. Analistët parashikojnë se mundësitë që nafta e Iranit të rikthehet në tregjet ndërkombëtare në terma afatshkurtër, janë të pakta. Gjithashtu, Irani këmbëngul se saksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj presidentit të sapozgjedhur Ebrahim Raisi duhet të hiqen përpara se të arrihet një marrëveshje mbi programin bërthamor.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.