Nafta e nis me rënie – Prodhimi në SHBA dhe Korea e Veriut “diktojnë” trajektoren

Çmimet e naftës u regjistruan në rënie gjatë sesionit të parë të kësaj jave, duke eliminuar kështu një pjesë të madhe të fitimeve të javës së kaluar. Rënia vjen pas një pushimi tre-ditor të tregjeve si pasojë e festës së Pashkëve.
Të dhënat që flasin për një rritje të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe testi i dështuar raketor në Korenë e Veriut diktuan trajektoren e çmimeve të naftës gjatë sesionit të sotëm. Në çelje të sesionit të sotëm, Nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 55.33 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 52.67 dollarëve për fuçi.
Të dy benchmarket kryesorë ndërkohë mbyllën të Premten javën e tretë me radhë në rritje. Gjithsesi, edhe gjatë sesionit të sotëm, tregtia ka qenë e kufizuar për shkak të mbylljes së bursave europiane dhe Londrës në radhë të parë.
Rritja e prodhimit të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tensionet e reja në arenën gjeopolitike, kryesisht në Korenë e Veriut po lënë në hije përpjekjet e OPEC për të shtyrë marrëveshjen e shkurtimit të prodhimit përtej muajit Qershor. Edhe të dhënat e tjera, si rënia e konsumit në Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar në ecurinë e çmimeve gjatë sesionit të parë të kësaj jave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.