Nafta e nis vitin në rritje – OPEC+ pritet të mos ndryshojë kuotat e prodhimit

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin takimin e OPEC+ që zhvillohet më vonë gjatë ditës së sotme. Analistët parashikojnë se vendet prodhuese nuk do të ndryshojnë kuotat e prodhimit, për shkak të kërkesës së dobët.
Nafta po qëndron në rritje në sesionin e parë të vitit 2021, për shkak të pritshmërive se OPEC dhe aleatët e tjerë mund të mbajnë kuotat e prodhimit në nivelet aktuale. Vendet prodhuese do të takohen më vonë gjatë ditës së sotme, ndërkohë që vendosja e kufizimeve ka ngadalësuar më tej kërkesën.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 52.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 49 dollarë për fuçi. Investitorët janë pozicionuar në një rimëkëmbje të kërkesës për naftë për shkak të fillimit të vaksinimit, ndërsa një mbështetje po e ofron edhe dobësimi i dollarit amerikan. Mohammad Barkindo, Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, deklaroi se kërkesa për naftë parashikohet në rritet me 5.9 milionë fuçi në ditë, gjatë këtij viti, në totalin e 95.9 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, grupi i vendeve prodhuese parashikon edhe disa rreziqe në gjysmën e parë të këtij viti. Çmimet e naftës e mbyllën vitin 2020 në rënie me rreth 20%, krahasuar me fundin e vitit 2019, kryesisht për shkak të pandemisë që detyroi mbylljen e shumë vendeve për disa muaj. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prodhimi i naftës bruto vijon të gjendet nën presion për shkak të kërkesës së dobët për naftë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.