Nafta, e qëndrueshme mbi 60 USD – Investitorët presin fjalimin e Powell në samitin e Jackson Hole

Nafta vijon të qëndrojnë mbi 60 dollarë për fuçi edhe në sesionin e sotëm dhe po mbështetet nga rënia e rezervave të naftës në SHBA. Por, në anën tjetër, shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë globale po kufizojnë fitimet.
Rezervat e naftës në SHBA ranë me 2.7 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, një shifër më e lartë se parashikimet e analistëve. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56 dollarë për fuçi. Investitorët, ndërkohë, po presin një fjalim të shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell të premten në samitin Jackson Hole, i cili mund të sinjalizojë se kur do të vijë ulja tjetër e normave të interesit. Përgjatë këtij viti, nafta Brent e Londrës është në rritje me rreth 12%, e mbështetur nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin dhe nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Ndërkohë, Irani deklaroi të mërkurën se nëse eksportet e këtij vendi ulen në zero, atëherë rrugët detare ndërkombëtare të naftës nuk do të kenë të njëjtën siguri si më parë, duke paralajmëruar Uashingtonin kundër rritjes së presionit ndaj Teheranit.
Në anën tjetër, ngadalësimi i ekonomisë globale, lufta tregtare SHBA-Kinë dhe paqartësitë e Brexit po ushtrojnë presion mbi çmimet. Të mërkurën, Presidenti amerikan, Donald Trump tha se ai është i zgjedhuri për të adresuar pabarazitë tregtare me Kinën, pavarësisht se disa studiues të Kongresit paralajmëruan se tarifat e vendosura nga Trump do të zvogëlonin prodhimin ekonomik në SHBA me 0.3% në vitin 2020.
Lidion Kulla/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.