Nafta, e qendrueshme – Stabilizohet pas rënies së fortë të ditës së djeshme
Nafta është stabilizuar ditën e Enjte, pas humbjeve të mëdha në sesionin e kaluar që erdhën prej rritjes së papritur të inventarëve të naftës bruto në SHBA dhe shqetësimeve për recesion. Nafta brent e Londrës ra me 0.2% në 59.35 dollarë në nisje të sesionit të sotëm, pasi ra me më shumë se 3% ditën e djeshme.
Nafta bruto amerikane (WTI) u rrit me 0.1% në 55.28 dollarë për fuçi, ndërkohë që në sesionin e djeshëm humbi 3.3%. Parashikimet për një ngadalësim të ekonomisë botërore dhe nivelet e larta të inventarëve në Shtetet e bashkuara, kanë limituar rritjen e çmimeve dhe kanë shtuar pritshmëritë për ndërhyrjen e OPEC.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka ulur prodhimin që prej nisjes së 2017-ës dhe tregtarët presin që Arabia Saudite të ulë mëtej prodhimin, ndërkohë që kërkesa botërore qëndron e dobët. Inventarët në SHBA u rritën me 1.6 milionë fuçi javën e kaluar, ndërkohë që analistët prisnin një rënie me 2.8 milionë, sipas Administratës së Informacionit mbi Energjinë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.