Nafta gjendet nën presion – Ndikon rënia e kërkesës në fabrikat amerikane
Çmimet e naftës po gjenden nën presion në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave të publikuara në SHBA, që treguan një rënie të porosive në fabrika. Por, në anën tjetër, sanksionet amerikane ndaj Venezuelës dhe ulja e prodhimit nga OPEC kanë kufizuar humbjet. Të dhënat e qeverisë amerikane treguan se, porositë e reja për produktet në SHBA, ranë papritur në nëntor, sidomos në kategorinë e makinerive dhe pajisjeve elektrike.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 54.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 62.4 dollarë për fuçi. Ndërkohë, tregu është karakterizuar nga një volum i ulët, për shkak se shumë bursa në Azi qendruan pushim, me rastin e Vitit të Ri Hënor. Industria e naftës beson se, marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin do të ndihmojë në balancimin e tregut, gjatë këtij viti.
Në anën tjetër, sanksionet amerikane ndaj Venezuelës do të limitojnë ndjeshëm transaksionet e këtij vendi me vendet e tjera të botës, por në një nivel më të ulët krahasuar me mungesën që po shkakton Irani. Sipas një vëzhgimi të Reuters, furnizimi i tregut nga OPEC ra në nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit. Në fokus të investitorëve vijon të jetë edhe lufta tregtare SHBA-Kinë, që e ka dëmtuar ndjeshëm kërkesën për naftë, gjatë vitit të kaluar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.