Nafta i afrohet 100 USD për fuçi – Niveli më i lartë në 7 vite prej paralajmërimit të SHBA për sulm nga Rusia

Nafta është rritur drejt nivelit më të lartë në 7 vite në tregtinë e parë të Javës, prej shqetësimeve të një sulmi të mundshëm nga Rusia në Ukrainë, që mund të sjellë sanksione nga Europa dhe SHBA, që ndikojnë tek eksportet e naftës tek një ndër prodhuesit kryesor. Nafta Brent u tërhoq në 94.33 dollarë për fuçi, pasi preku në nisje të tregtisë 96.16 dollarë, që është niveli më i lartë që prej Tetorit 2014.
Nafta bruto amerikane tregtohej në 93.11 dollarë për fuçi, pasi shënoi 94.9 dollarë për fuçi, nivelin më i lartë që prej Shtatorit 2014. Analistët thonë se tregtarët janë të shqetësuar se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës mund të ndërpresë furnizimin, në një periudhë ku tregu është i ndjeshëm, për shkak të inventarëve të ulët.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo moment dhe mund të krijojë një pretekst surprizues për sulmin. Analistët thonë se nëse tensionet rriten, nafta mund të arrijë 100 dollarë për fuçi. Tensionet vijnë ndërkohë që Organizata e Vendeve Eksportuese dhe aleatët, një grup që njihen si OPEC+, po hasin vështirësi të rrisin prodhimin drejt objektivave mujor të premtuar.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, bëri të ditur se hendeku mes prodhimit dhe objektivit të OPEC, u zgjerua në 900,000 fuçi gjatë Janarit. Investitorët po monitorojnë gjithashtu bisedimet mes SHBA dhe Iranit, për të rikthyer paktin bërthamor të vitit 2015, ç’ka mund të heqë sanksionet amerikane ndaj eksporteve iraniane të naftës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.