Nafta i rikthehet fitimeve. Në fundjavë edhe SHBA mund të nisë vaksinimin në masë
Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të fillimit të vaksinimit në Britani dhe pritshmërive se shumë shpejt, mbase në fundjavë, do të fillojë vaksinimi edhe në SHBA. Në këtë mënyrë, investitorët kanë injoruar lajmet për rritjen e rezervave të naftës në SHBA, gjatë javës së kaluar. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 45.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 49 dollarë për fuçi.
Programi i vaksinimit në SHBA mund të fillojë gjatë kësaj jave, ndërsa një panel këshilltarësh do të takohen ditën e sotme, për ti rekomanduar Administratës për Ushqimet dhe Barnat të janë aprovimin për përdorim emergjent të vaksinës së Pfizer dhe BioNTech. Edhe Kanadaja aprovoi vaksinën e parë kundër Covid-19 të mërkurën dhe deklaroi se vaksinimi do të fillojë javën e ardhshme. Investitorët u surprizuan nga rritja e madhe e rezervave të naftës, gjatë javës së kaluar në SHBA, kundrejt parashikimeve për një rënie të tyre. Sipas Administratës për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës bruto u rritën me 15.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 4 dhjetor, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 1.4 milionë fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.