Nafta i rikthehet fitimeve – Prodhimi në Venezuelë bie me 1 milionë fuçi
Çmimet e naftës janë rikhyer sërish në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me furnizimin, sidomos nga Venezuela dhe Lindja e Mesme dhe nga kërkesa e fortë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68.4 dollarë për fuçi.
Prodhimi në Venezuelë, që është një vend anëtar i OPEC, ka rënë në 1.5 milionë fuçi në ditë, nga 2.5 milionë fuçi, që ka qenë më parë, për shkak të tensioneve ekonomike dhe politike ne vendin e Amerikës Latine. Kompania amerikane e naftës, Chevron ka evakuuar drejtuesit kryesorë nga Venezuela, pasi dy prej punonjësve të saj u burgosën, për shkak të një kontrate të diskutueshme me kompaninë shtetërore, PDVSA.
Rënia e prodhimit nga Venezuela vjen në një kohë të kërkesës së fortë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme. Analistët mendojnë se, çmimet mund të rriten edhe më tej, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rivendosin sanksione ndaj Iranit në muajin maj, që gjithashtu është një vend anëtar i OPEC.
Ndërkohë, referuar të dhënave zyrtare, rezervat në SHBA u rritën me 2.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 20 prill, në totalin e 429.74 milionë fuçive. Gjithashtu, edhe prodhimi u rrit me 46 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 10.59 milionë fuçive në ditë.
Që nga mesi i vitit 2016, prodhimi i naftës në SHBA është rritur me rreth ¼. Për shkak të rritjes së prodhimi në SHBA, disa analistë sugjerojnë se, rritja e çmimeve me 20% që nga muaji shkurt, mund të jetë e ekzagjeruar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.