Nafta i rikthehet fitimeve – Shpresa për marrëveshje SHBA-Kinë, pavarësisht tarifave
Nafta i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, për shkak se tensionet në Gjirin Persik dhe shpresave se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të arrijnë një marrëveshje tregtare, pavarësisht vendosjes së tarifave.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.9 dollarë për fuçi. Negociatat e javës së kaluar, mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ishin të suksesshme, por pati ndryshime pasi Pekini kërkoi ndryshime të minutës së fundit. Të hënën, Kina injoroi paralajmërimet e presidentit amerikan, Donald Trump dhe njoftoi tarifa ndaj 5 mijë produkteve amerikane, duke filluar nga perimet e deri te gazi natyror.
Por, një ndër zyrtarët më të lartë kineze deklaroi se Pekini shpreson se do të ketë një marrëveshje. Mbi këtë çështje, presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se do të diskutojë me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në samitin e G20-ës në muajin qershor. Në Lindjen e Mesme, ndërkohë, Arabia Saudite deklaroi se dy tankera janë sulmuar në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e përkufizuar si një tentativë për të çrregulluar furnizimin e tregun me naftë.
Ndërsa, një zyrtar amerikan tha se Irani mund të jetë përgjegjës për këtë sulm. Në kohët e fundit, Teherani është përfshirë në akuza me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por zyrtarët iranianë kanë mohuar të kenë lidhje me incidentin. Rreth 1/5 e konsumit global të naftës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, nga prodhuesit e Lindjes së Mesme drejt tregjeve globale.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.