Nafta i rikthehet fitimeve – Trump sinjalizon marrëveshje tregtare me Kinën

Nafta po qëndron në rritje gjatë sesionit të sotëm, pasi në treg janë rikthyer shpresat për një marrëveshje tregtare SHBA-Kinë, pavarësisht tensioneve gjatë fundjavës. Gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi rezervat në SHBA gjatë javës së kaluar.
Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, parashikoi një marrëveshje tregtare me Kinën, pas komenteve pozitive nga Pekini.
Në këtë mënyrë, është ulur ndjeshëm tensioni mes dy ekonomive më të mëdha në botë, ndërkohë që në fundjavë palët kërcënuan me tarifa të tjera reciproke. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 59 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 1%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 54 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar publikoi humbje për të katërtin sesion me radhë. Të hënën, Trump tha se beson që Kina ishte e sinqertë kur kërkonte arritjen e një marrëveshjeje.
Çmimet e naftës kanë rënë me rreth 20% që nga niveli maksimal i këtij viti të regjistruar të prill, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se konflikti tregtar SHBA-Kinë po e dëmton ekonominë globale dhe për rrjedhojë edhe kërkesën për naftë.
Javën e kaluar, ministria kineze e tregtisë tha se do të vendosë tarifa shtesë prej 5% deri në 10% për një total prej 5,078 produkte që kanë origjinë Shtetet e Bashkuara.
Në shenjë hakmarrjeje, Trump tha se po urdhëron kompanitë amerikane në gjejnë mënyra për të mbyllur operacionet në Kinë dhe të prodhojnë në SHBA.
Këto masa po shkaktojnë reagime nga kompanitë kineze, pasi Sinopec kërkoi një përjashtim nga tarifat për importin e naftës nga SHBA, sipas burimeve të Reuters. Gjithashtu, investitorët janë në pritje edhe të të dhënave mbi rezervat e naftës në SHBA, gjatë javës së kaluar.
Analistët e anketuar nga Reuters parashikojnë një rënie të rezervave të naftës bruto me 2.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 23 gusht.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.