Nafta i rikthehet humbjeve – Çmimet realizojnë rënien më të madhe që nga viti 2016
Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve të konsiderueshme në sesionin e sotëm, për shkak të shenjave për rritjen e furnizimit dhe shqetësimeve se kërkesa mund të dobësohet si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë globale.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 74.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët realizuan humbjet më të mëdha mujore që nga korriku i vitit 2016, gjatë tetorit, me naftën Brent që ra me 8.8% dhe naftë bruto amerikane që ra me 10.9%. Ndërsa në sesionin e sotëm, rënia u ndikua nga të dhënat e Administratës për Informimin mbi Energjinë, që treguan një rritje të rezervave të naftës në SHBA për të gjashtën javë me radhë.
Ndërkohë, një vëzhgim i Reuters arriti në përfundimin se, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) rriti prodhimin gjatë tetorit, në nivelin më të lartë që nga viti 2016, duke kompensuar rënien e eksporteve nga Irani. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi në një memorandum presidencial se është i vendosur që të ketë furnizim të mjaftueshëm me naftë në treg, pavarësisht sanksioneve ndaj naftës iraniane. Gjithashtu, çmimet po gjenden nën presion për shkak të luftës tregtare SHBA-Kinë, që mund të ngadalësojë ekonominë globale.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.